40 inspektorë të rinj në terren shteti forcon kontrollin ndaj shkelësve të ligjit

Shkup – Inspektorati Shtetëror i Tregut do të përforcohet me 40 inspektorë të rinj, të cilët pas përfundimit të trajnimit do të angazhohen aktivisht në terren nga mesi i këtij viti, me qëllim rritjen e kontrollit dhe zbatimit të ligjeve në tregun e brendshëm.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besart Durmishi, deklaroi se nevoja për inspektorë shtesë është e domosdoshme për të garantuar mbikëqyrje efektive ndaj të gjitha subjekteve tregtare dhe për të identifikuar ata që nuk i respektojnë ligjet.

Sipas tij, aktualisht Inspektorati i Punës disponon rreth 80 inspektorë, ndërsa Inspektorati i Tregut rreth 120, shifra që nuk mjaftojnë për mbulimin e plotë të tregut të brendshëm.

“Që në momentin kur këta dy inspektorate, me ndryshimet ligjore, humbën statusin e personit juridik dhe kaluan nën Ministrinë e Ekonomisë, i jam drejtuar Qeverisë me kërkesë për rritjen e numrit të inspektorëve veçanërisht në Inspektoratin e Tregut. Ata mbulojnë gjithë tregun e brendshëm dhe është e domosdoshme të kenë kapacitete të shtuara për të ushtruar detyrën me përgjegjësi dhe për të garantuar kontroll të plotë ndaj shkelësve të ligjit,” theksoi Durmishi.

Ministri këto komente i bëri gjatë prezantimit të Strategjisë Kombëtare për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme 2025–2030, ku u nënvizua rëndësia e një tregu të rregulluar, konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje të konsumatorëve.

Me përfshirjen e inspektorëve të rinj, institucionet synojnë forcimin e mbikëqyrjes, rritjen e transparencës dhe ndëshkimin e atyre që operojnë jashtë kornizës ligjore  një hap i rëndësishëm drejt stabilitetit ekonomik dhe sundimit të ligjit.