Sot, Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, promovuan përfundimin e renovimit të shkollës së mesme Gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë.


Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Komunës së Tetovës dhe pushtetit qendror dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës arsimore, duke krijuar kushte më të mira për nxënësit dhe kuadrin arsimor.
Gjatë vizitës, Kasami dhe Mickoski inspektuan edhe punimet në sallën e vjetër të shkollës, e cila pritet shumë shpejt të shndërrohet në amfiteatër modern dhe bibliotekë të re, në shërbim të procesit mësimor dhe aktiviteteve kulturore-arsimore.

Kryetari Kasami theksoi se investimet në arsim mbeten prioritet i Komunës së Tetovës, duke nënvizuar se bashkëpunimi me institucionet qendrore po sjell projekte konkrete dhe përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
“Puna jonë për ndërtimin dhe zhvillimin e Tetovës vazhdon”, u shpreh Kasami, duke uruar që investimet e realizuara t’u shërbejnë sa më mirë nxënësve dhe stafit arsimor.
