Blerim Sejdiu përfaqëson Komunën e Zhelinës në Bordin Drejtues të BNjVL-së

Sot në Shkup u zhvillua seanca e dytë e Bordit Drejtues të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BNjVL), ku morën pjesë përfaqësues të komunave nga i gjithë vendi, përfshirë edhe Komunën e Zhelinës.

Në këtë mbledhje, Ministri për Administratë Publike, z. Goran Minçev, prezantoi softuerin e ri për menaxhimin e resurseve njerëzore, i cili do të zbatohet në të gjitha institucionet shtetërore dhe ka për qëllim rritjen e efikasitetit dhe transparencës në administratë.

Gjatë seancës u diskutua gjithashtu për emërimin e përfaqësuesve të BNjVL-së në institucionet shtetërore dhe jashtë vendit, si dhe për iniciativën për ndryshime ligjore që do t’u mundësonin komunave krijimin e “Policisë Komunale”, si mekanizëm shtesë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë lokale.

Nga Komuna e Zhelinës, në këtë takim mori pjesë kryetari Blerim Sejdiu, i cili theksoi rëndësinë e forcimit të rolit të vetëqeverisjes lokale dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.