Yll Limani ka bërë të ditur një vendim të rëndësishëm për rrugëtimin e tij artistik. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, këngëtari ka konfirmuar se gjatë vitit 2026 nuk do të performojë në klubet e natës.
Artisti shprehet se klubet kanë qenë një pjesë thelbësore e rritjes së tij muzikore, një hapësirë ku ka krijuar kujtime të paharrueshme dhe ka ndarë emocione të forta me publikun. Megjithatë, sipas tij, disa këngë dhe disa momente kërkojnë një fokus dhe një ambient tjetër.
“Disa këngë nuk janë bërë për klube. Disa momente kërkojnë një hapësirë tjetër për t’u ndier ashtu siç duhet”, shkruan Limani, duke shtuar se ky vendim nuk nënkupton largim nga muzika, por një pauzë të nevojshme për përgatitjen e diçkaje më të madhe.
Ai thekson se është koha për reflektim, fokus dhe një frymëmarrje ndryshe artistike, ndërsa paralajmëron se së shpejti do të vijë një formë tjetër takimi me publikun e tij.
“Ky është thjesht një vendim për të krijuar hapësirë për diçka më të madhe. Për t’u përgatitur. Për t’u takuar ndryshe”, përfundon këngëtari, duke falënderuar fansat për çdo natë dhe çdo moment të ndarë bashkë ndër vite.
