Drejtoria e Doganave ka njoftuar se në pikën kufitare Bogorodicë është parandaluar një tentativë për krim të rëndë ndërkombëtar, gjatë së cilës janë sekuestruar nëntë pistoleta, pesë prej tyre me fuqi të lartë depërtuese.


Sipas njoftimit zyrtar, një shtetas i Maqedonisë së Veriut është privuar nga liria dhe ndodhet në paraburgim.
Rasti është zbuluar të martën në mbrëmje nga nëpunësit doganorë, në dalje nga shteti, gjatë një kontrolli të detajuar të një automjeti me targa maqedonase, i drejtuar nga shtetasi në fjalë. Gjatë kontrollit, armët janë gjetur të fshehura në tavanin e automjetit, midis llamarinës dhe tapicerisë. Bëhet fjalë për pistoleta të markës “Crvena Zastava”.
Rasti i është dorëzuar Departamentit të Hetimeve pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime, i cili ka ndërmarrë veprime parahetimore dhe ka privuar nga liria të dyshuarin. Pas kësaj, është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Gjevgjelisë për veprën penale “mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese”, e paraparë dhe e dënueshme sipas Kodit Penal.
