Shkup – Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, dyshohet se ka tentuar t’ia marrë spitalin privat mjekut Zhan Mitrev, duke ushtruar presion edhe ndaj Prokurorisë, deklaroi Bojan Stojanoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Sipas Stojanoskit, Filipçe dhe ish-kryeministri Zoran Zaev, duke vepruar “nga pozita e pushtetit”, kanë shfrytëzuar momentin kur ishte në zhvillim një proces gjyqësor ndaj Mitrevit për të tentuar t’i marrin pronësinë e klinikës.
“Gjatë kohës kur ishin në pushtet dhe nga pozita e forcës, Filipçe si ministër i Shëndetësisë dhe Zaev si kryeministër, kanë përdorur metoda dhe praktika tashmë të njohura për të tentuar t’ia marrin pronësinë e klinikës Zhan Mitrev,” theksoi Stojanoski.
Ai iu referua edhe një interviste të mjekut Zhan Mitrev në një televizion nacional, ku ky i fundit ka deklaruar se është kërcënuar drejtpërdrejt nga Venko Filipçe dhe Zoran Zaev me qëllim konfiskimin e spitalit.
Stojanoski i bëri thirrje Prokurorisë Publike që të veprojë menjëherë dhe ta hetojë rastin pa selektivitet, duke kërkuar përgjegjësi për çdo abuzim të mundshëm me pushtetin.
“Kërkojmë nga Prokuroria që të reagojë urgjentisht dhe të hetojë këto pretendime serioze. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin,” përfundoi deputeti i VMRO-DPMNE-së.
Akuzat e rënda hapin një kapitull të ri përplasjesh politike, ndërsa pritet reagimi i institucioneve dhe i palëve të përfshira./ plus info
