Luli ishte fëmijë i vetëm në familje dhe ishte jashtëzakonisht i lidhur me nënën. Për gjithçka bisedonte me të dhe ishte shumë kureshtar për të ditur gjëra, edhe pse ishte ende i vogël.
Nëna e mësonte si të fliste bukur, si t’i respektonte të tjerët, si të mësonte që kur të rritej, të kishte një profesion dhe të jetonte me punën e vet.
Kur ishte pesë vjeç, shpesh vinin fëmijët e axhallarëve dhe të lagjes për të luajtur me të, sepse Luli nuk kishte me kë të luante, ishte fëmij i vetëm. Së bashku me fëmijët herë luanin brenda, e herë jashtë, në oborrin e madh që u dukej si fusha më e bukur e botës për futboll.
Nëna përgatiste ushqimin dhe e thërriste me zë të butë që të vinte për të ngrënë, por Luli kishte dëshirë të luante me shokët dhe nuk i shkonte menjëherë. Shpesh dilte me ta nëpër lagje, duke harruar kohën dhe urinë.
Nëna e kërkonte nëpër shtëpi, derë më derë, dhe kur e gjente, i thoshte me dashuri:
— Eja për të ngrënë, bir, se nuk ke ngrënë asgjë.
Luli shumë herë i thoshte:
— Nisu ti! Pastaj vij!
Por nuk shkonte.
Ajo e dinte se nuk do të shkonte menjëherë dhe i thoshte:
— Nëse tani nuk vjen, s’ke për të ngrënë më vonë!
Por kur kthehej në shtëpi, gjithmonë e shtronte tryezën edhe për të, sikur zemra e saj të mos dinte të mbante inat.
Pas një kohe, nëna u sëmur. Dita-ditës gjendja e saj po rëndohej. Luli, i vogël dhe i pafajshëm, bëhej shumë merak. Nuk kishte as vëllezër, as motra, dhe nuk donte as të shkonte në shkollë — donte të rrinte vetëm pranë nënës.
Pendohej për herët kur nuk e kishte dëgjuar dhe i dukej se tani çdo fjalë e saj kishte peshë më të madhe se kurrë.
Babai punonte dhe s’kishte kush të përgatiste ushqim. Nëna, edhe pse e sëmurë, çohej nga shtrati që të mos e linte Lulin pa ngrënë, dhe përgatiste diçka me duar të lodhura, por me dashuri të pashuar.
Nga sëmundja e rëndë që kishte, ajo vdiq pas një viti e gjysmë.
Atëherë Luli u bë si një zog pa krahë, pa fole, pa përkëdheljet, përqafimet dhe zërin e saj që i jepte siguri. Atë ditë kur nëna i ndiq vetëm Zoti e di sa kishte qarë dhe si ishte ndier. Edhe babai e shihte, por përmbahej, që të mos ia shtonte dhimbjen.
Kaluan ditë të vështira dhe malli për nënën vetëm sa rritej. Babai punonte, ndërsa Luli shumicën e kohës e kalonte te xhaxhai, me mendjen gjithmonë te nëna.
Pas një kohe, babai vendosi të martohej me një grua tjetër dhe i tha Lulit se duhej të ishte i sjellshëm, sepse ajo grua do të jetonte me ta.
Ajo erdhi në shtëpinë e tyre dhe, në përgjithësi, sillej mirë me Lulin, kujdesej për të, por nënën e tij askush nuk mund ta zëvendësonte. Luli mërzitej shumë, shpesh hynte në dhomë dhe qante në heshtje, derisa sytë skuqeshin shumë dhe i mbusheshin me lot.
Njerka nuk ishte si nëna. Ajo ishte e vendosur në atë që thoshte. Nuk shkonte ta kërkonte nëpër lagje dhe i thoshte:
— Nëse tani nuk vjen të hash, nuk ke për të ngrënë më vonë!
Luli mendonte se edhe ajo, si nëna, vetëm ashtu thoshte. Por tri-katër herë i ndodhi të mbetej pa bukë dhe atëherë e kuptoi se fjalët e saj ishin ndryshe.
Një ditë, duke ndenjur me babain, ai e pyeti me kujdes:
— Çfarë ke, bir? Nuk dukesh mirë.
— Asgjë, — ia ktheu Luli, — mirë jam.
Por babai e kishte vërejtur se nuk ishte më ai fëmija i qeshur si më parë. Me butësi e pyeti përsëri:
— Si po sillet njerka me ty?
— Mirë, në përgjithësi mirë, — tha Luli.
Babai i foli seriozisht:
— Nuk po ma tregon të vërtetën. Ka diçka që nuk shkon?
— Jo, gjithçka është në rregull, vetëm se…
Nëna, kur më premtonte që nëse kthehesha vonë s’do të haja ushqim, nuk e mbante premtimin. Ajo gjithmonë e shtronte tryezën për mua.
Ndërsa njerka, kur premton, e mban premtimin, sepse disa herë më ka ndodhur të mbetem pa ngrënë.
