Ka ndërruar jetë babai i këngëtares së njohur Shkurte Gashi.
Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur vetë këngëtarja përmes një postimi emocional në Instagram, ku ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e njeriut më të dashur të jetës së saj.
Ajo ka shkruar se sot nuk ka humbur vetëm babain, por edhe shokun më të mirë, mësuesin dhe udhërrëfyesin e jetës së saj. Sipas saj, babai ka qenë forca e saj, fjala e urtë dhe krahu ku mbështetej gjithmonë.
“Vdekja jote e papritur ma këputi shpirtin dhe ma la zemrën bosh. Sot humba më shumë se një baba, humba shokun tim më të mirë, mësuesin tim, udhërrëfyesin e jetës sime. Ti ishe forca ime, fjala e urtë, krahu ku mbështetesha dhe drita që më printe në çdo hap”, ka shkruar Gashi.
Ajo shtoi se dhimbja për të atin është e pafund, duke theksuar se dashuria dhe mësimet e tij do të jetojnë përherë në zemrën dhe kujtimet e saj.
“Do të jetosh përherë në zemrën time, në kujtimet e mia, në çdo këshillë që më dhe e në çdo vlerë që ma mësove. Pusho i qetë, babush krenaria ime e përjetshme”, ka përfunduar ajo.
