Kasami përfaqëson VLEN-in në takimin e liderëve të thirrur nga Mickoski

VLEN-i do të përfaqësohet nga Bilall Kasami në takimin e liderëve të paralajmëruar nga kryeministri Hristijan Mickoski. Kasami për Alsat ka konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa në këtë takim do të shoqërohet edhe nga koordinatori i grupit parlamentar, Bekim Qoku.

Nga partia shqiptare që është pjesë e pushtetit, për momentin nuk bëhet e ditur nëse do të parashtrohen kërkesa të veçanta apo tema konkrete që duhet të hapen gjatë takimit.

Kryeministri Mickoski ka deklaruar më herët se nevoja për një takim të tillë vjen si pasojë e çështjeve të rëndësishme që duhet të trajtohen, përfshirë shfuqizimin e qeverisë teknike dhe miratimin e ligjeve reformuese. Megjithatë, në ftesën drejtuar liderëve nuk janë specifikuar tema konkrete, duke u theksuar vetëm se do të diskutohet për gjendjen politike dhe ekonomike në vend, si dhe çështje të tjera aktuale.

Takimin e ka refuzuar kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili ka deklaruar se nuk pranon të marrë pjesë në takim me, siç u shpreh ai, “kriminelë”, dhe se është kundër shfuqizimit të modelit të qeverisë teknike.

Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ende nuk ka marrë vendim nëse do të jetë pjesë e këtij takimi të liderëve të thirrur nga kryeministri Mickoski.