Komuna e Tetovës paralajmëron ndërhyrje në nënkalimet e lagjes “Dardania” pas stabilizimit të motit

anorët e lagjes “Dardania” në Tetovë po përballen prej vitesh me probleme serioze nga nënkalimet, të cilat pas çdo reshjeje shiu apo shkrirjeje bore mbushen me ujë, duke rrezikuar sigurinë dhe lëvizjen e qytetarëve. Ata kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe të qëndrueshme nga institucionet përgjegjëse.

Sipas banorëve, situata është bërë e padurueshme, pasi nënkalimet shpesh janë të pakalueshme, ndërsa mirëmbajtja kryhet më shumë nga vetë qytetarët sesa nga autoritetet komunale.

“Gjendja këtu është shumë e rëndë. Uji dhe akulli na bllokojnë rrugën, nuk mund të kalojmë me makina e as në këmbë. Shpesh detyrohemi të përdorim rrugë alternative. Vetëm banorët intervenojnë, askush tjetër”, shprehet një banor i zonës.

Një tjetër banor thekson se problemi është i kahershëm dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale.
“Ky nënkalim mbushet me ujë sa herë bie shi. Shumë makina janë dëmtuar rëndë. Nëse nuk intervenohet sa më shpejt, e gjithë lagjja rrezikon të mbetet e izoluar”, tha ai.

Nga Komuna e Tetovës bëjnë të ditur se procedurat për rregullimin e nënkalimeve kanë përfunduar dhe se projekti është gati për zbatim.

“Procesi i tenderimit ka kaluar të gjitha fazat. Sapo të përmirësohen kushtet atmosferike, ekipet do të dalin në terren dhe do të fillojnë punimet në lagjen Dardania. Bëhet fjalë për një problem të vjetër dhe kompleks, por tashmë jemi në fazën përfundimtare të zgjidhjes”, deklaroi Albion Alili, zëdhënës i Komunës së Tetovës.

Ndërkohë, në nënkalimin e dytë të kësaj lagjeje janë vërejtur edhe dëmtime serioze në urë, përfshirë plasaritje në të dyja anët, çka shton edhe më shumë shqetësimin e banorëve për sigurinë.