Në prag të takimit të liderëve të iniciuar nga kryeministri Hristijan Mickoski, ende mbetet e paqartë se cilët liderë do të marrin pjesë në diskutimet për ligjet reformuese dhe shfuqizimin e Qeverisë së Përzhinës. Koalicioni qeveritar VLEN ka konfirmuar pjesëmarrjen me Bilall Kasamin dhe Bekim Qokun, duke shprehur mbështetje për propozimin e Mickoskit.

Ndërkohë, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e refuzoi ftesën, duke theksuar se qeveria teknike është garanci për zgjedhje të ndershme. Nga LSDM deklarojnë se pushteti aktual po keqpërdor institucionet dhe se ministri teknik nga opozita është i domosdoshëm për të parandaluar abuzimet gjatë fushatës zgjedhore.
Nga BDI ende nuk kanë marrë vendim përfundimtar, por sekretari i përgjithshëm Arbër Ademi theksoi se takimi duhet të ketë agjendë dhe dialog me përmbajtje, jo vetëm karakter formal. Nëse marrin pjesë, nga BDI paralajmëruan se do të hapin çështjen e integrimit në BE dhe tema të tjera me rëndësi shtetërore.
Pjesëmarrje në takim kanë paralajmëruar edhe ZNAM dhe Levica. Nga kjo e fundit thanë se do të pranojnë shfuqizimin e qeverisë teknike vetëm nëse vendoset një njësi zgjedhore dhe garantohet qasje e barabartë mediatike gjatë fushatës.
