Opozita përballë dilemës së lidershipit: Ahmeti apo Taravari?

Zgjedhjet e fundit lokale nuk sollën vetëm humbje komunash për opozitën shqiptare, por hapën edhe një krizë më të thellë – atë të lidershipit. Sot, opozita jo vetëm që mbeti pa pushtet lokal, por edhe pa një bosht të qartë politik rreth të cilit të artikulojë alternativën ndaj pushtetit.

Kjo dilemë u thellua pas deklaratës së Arben Taravarit se “Gostivari është epiqendra e opozitës”, bërë në natën e fitores së kandidatit të ASH-së, Valbon Limani. Me këtë deklaratë, Taravari dërgoi sinjal se synon të pozicionohet si figurë qendrore e opozitës shqiptare.

Por a mjafton fitorja në një komunë për të shpallur epiqendrën e opozitës? Apo lidershipi kërkon më shumë – vizion, unitet dhe kapacitet për të bashkuar një opozitë të fragmentuar, ku ende janë prezentë edhe ASH-ja e Selës dhe PDSH-ja e Thaçit?

Në anën tjetër qëndron Ali Ahmeti, i cili vazhdon të mbetet pikë reference politike dhe nuk lëshon pe në çështjen e udhëheqjes. Ndërkohë, Taravari shihet si sfidues, por edhe si figurë me lëvizje të shpeshta politike gjatë karrierës së tij.

Debati Ahmeti apo Taravari nuk është vetëm për emra, por për model lidershipi. Derisa opozita të arrijë të ndërtojë një projekt politik që shkon përtej individëve, pyetja “kush është lideri i opozitës?” do të mbetet pa përgjigje të qartë.

Fitorja në Gostivar mund të jetë një fillim, por lidershipi i vërtetë nuk ndërtohet me deklarata festive – por me konsistencë, bashkim dhe besueshmëri politike.