Drejtori i Institucionit Publik Parku Kombëtar Mali Sharr, Evzal Elmazi, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se, pas zhvillimit të një dialogu konstruktiv dhe koordinimi institucional, është arritur marrëveshje me operatorin Eskimo Sport, i cili ushtron veprimtarinë e skijimit me makina ratrak në territorin e Parkut Kombëtar.

Sipas njoftimit të publikuar nga drejtori Elmazi, operatori Eskimo Sport ka shprehur gatishmëri të plotë për respektimin e Planit të Menaxhimit, Planit për Lëvizjen e Mjeteve Motorike, si dhe të gjitha vendimeve dhe akteve të tjera që Parku Kombëtar Mali Sharr ka miratuar për rregullimin e kësaj veprimtarie.
Në shenjë vlerësimi për këtë qasje bashkëpunuese dhe për faktin se përfaqëson operatorin e parë të këtij lloji të veprimtarisë turistike në Parkun Kombëtar, Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr i ka ndarë Mirënjohje operatorit Eskimo Sport.
“Elmazi thekson se ky hap paraqet një kontribut të rëndësishëm drejt vendosjes së një sistemi të qartë dhe të rregulluar për ushtrimin e veprimtarive turistike në Parkun Kombëtar, duke siguruar mbrojtjen e habitateve të ndjeshme dhe biodiversitetit, një regjim të kontrolluar të lëvizjes dhe mbikëqyrjes, rritjen e sigurisë për vizitorët dhe punonjësit, si dhe zhvillimin e turizmit malor të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm.”
Drejtori Evzal Elmazi ka bërë të ditur se Parku Kombëtar Mali Sharr mbetet fuqishëm i përkushtuar për bashkëpunim me të gjithë subjektet që veprojnë me përgjegjësi, respektojnë kornizën ligjore dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në harmoni me natyrën.
“Përmes dialogut, transparencës dhe përgjegjësisë së ndërsjellë, vazhdojmë të ndërtojmë një model ku mbrojtja e natyrës dhe zhvillimi ekonomik ecin krah për krah, në interes të publikut dhe të brezave të ardhshëm”, ka shkruar Elmazi në Facebook. /NA Eksperienca.info
