Që nga 16 janari 2026, zhvillimet lidhur me veprimtarinë e ratrakëve në Parkun Kombëtar “Mali Sharr” kanë ngjallur interes të madh publik. Nga konferenca e fundit për media e drejtorit Evzal Elmazi u konfirmua zyrtarisht se është arritur një marrëveshje formale me operatorët ekonomikë, marrëveshje që për katër vite me radhë nuk ishte realizuar.
Sipas burimeve jozyrtare, mosarritja e kësaj marrëveshjeje në të kaluarën lidhet me një skemë të dyshuar korrupsioni, ku për vite me radhë janë keqpërdorur rojet dhe punëtorët e Parkut. Rasti është paraqitur në Sektorin për Krim Ekonomik pranë MPB-së në Tetovë.
Tërheqja e ankesave për ngjarjet e 16 janarit është bërë në koordinim me punëtorët, me qëllim të vetëm: të dëshmohet se aksionet në terren janë zbatim i ligjit dhe mbrojtje e interesit publik, e jo krijim i skemave të paligjshme.
Arritja e marrëveshjes me dy operatorë përbën një hap historik drejt institucionalizimit të veprimtarive në Malin Sharr dhe derdhjes së pagesave në buxhetin e Parkut, e jo në xhepa individualë.
Përfundimisht, punëtorët e Parkut Kombëtar “Mali Sharr” nuk ishin pjesë e problemit ata ishin dhe mbeten pjesë e zgjidhjes.
