Real Madrid merr masa të rrepta: tifozët që fishkëllejnë do të nxirren nga “Santiago Bernabeu”

 Real Madridi është rikthyer sot në stadiumin “Santiago Bernabeu” për herë të parë pas ndarjes së klubit me Xabi Alonson, por rikthimi është shoqëruar me masa të forta disiplinore ndaj tifozëve.

Sipas mediave spanjolle, klubi madrilen ka lëshuar një paralajmërim të prerë për tifozët që planifikojnë të shprehin pakënaqësi përmes fishkëllimave gjatë ndeshjes.

Siç raporton “Cadena SER”, drejtuesit e Real Madridit kanë vendosur të rregullojnë në mënyrë strikte sjelljen e publikut, veçanërisht në sektorin “Grada de Animación”, ku mblidhen tifozët më të zëshëm dhe më të organizuar. Anëtarët e këtij sektori janë njoftuar se sjellja e tyre gjatë ndeshjes do të jetë nën monitorim të vazhdueshëm.

Mesazhi i klubit është i qartë dhe pa ekuivok: pas ndeshjes do të shqyrtohen pamjet nga kamerat e sigurisë, dhe çdo tifoz i identifikuar duke fishkëlluar ekipin do të përballet me ndalim hyrjeje në stadium.

Me këtë vendim, drejtuesit e Real Madridit kanë bërë të ditur se nuk do të tolerojnë krijimin e një atmosfere negative në sektorin kryesor të tifozëve. Qëndrimi i klubit është përmbledhur në një mesazh të shkurtër, por të fortë:
“Kush dëshiron të fishkëllëjë, le ta bëjë jashtë stadiumit.”

Vendimi vjen në një moment delikat për klubin, pasi Vinícius Júnior ka qenë shpesh objekt pakënaqësie nga tribunat javët e fundit, ndërsa largimi i Xabi Alonsos ka tensionuar më tej marrëdhëniet me tifozët. Për këtë arsye, drejtuesit synojnë të parandalojnë që stadiumi të shndërrohet në një hapësirë protestash.

Edhe pse Real Madridi nuk mund të kontrollojë plotësisht të gjithë stadiumin, klubi ka vendosur të veprojë me vendosmëri për të shtypur çdo formë proteste në sektorin më të rëndësishëm të tifozëve, duke synuar ruajtjen e unitetit dhe mbështetjes ndaj skuadrës.