Për 46 vjet me radhë, Qeveria Islamike Revolucionare ka torturuar popullin e Iranit. Që nga momenti kur Ajatollah Khomeini u kthye nga ekzili në Paris, ai arriti të hedh njërën nga kulturat më të mëdha të botës në një epokë të re të errësirës.
Që nga viti 1979, ky regjim ka masakruar dhe ekzekutuar kundërshtarët e vet të brendshëm politikë. Ka varur publikisht njerëzit e dënuar për “krime kundër moralit”, përfshirë edhe ata të dënuar për “krimin” e të qenit homoseksual. Ka sponsorizuar terrorizmin në të gjithë Lindjen e Mesme, në Evropë dhe në Amerikë.

Ky regjim ka qenë fuqia më e madhe kolonialiste dhe imperialiste në Lindjen e Mesme. Dhe, ka tentuar të vrasë një president amerikan, një sekretar Shteti amerikan dhe një këshilltar për siguri kombëtare të ShBA-së – ndër të tjerë – në tokën amerikane.
Duke i pasur parasysh këto, mund të mendohej se do të kishte marshime kundër ajatollahëve, për disa javë në qytetet perëndimore. Por, nuk ndodhi kështu. Kur njerëzit iranianë u ngritën më parë (si në Revolucionin e Gjelbër të vitit 2009), e bënë këtë të vetëm. Atëherë, presidenti Obama nuk bëri asgjë për të mbështetur lëvizjen pro-demokracisë në Iran. Ai thjesht u zmbraps dhe lejoi që gratë protestuese të qëlloheshin në kokë nga milicia e ndyrë Basixh dhe forcat e tjera qeveritare.
