Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në kuadër të takimeve pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Uashington, mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët ku u prezantua një program pesëvjeçar për zhvillimin e kapaciteteve të një qendre të re rajonale.
Bëhet fjalë për Qendrën Rajonale për Asistencë Teknike të FMN-së për Evropën Juglindore (SEETAC), e cila synon të forcojë mbështetjen ndaj vendeve të rajonit në zbatimin e reformave ekonomike dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Gjatë diskutimeve, u theksua rëndësia e rritjes së kapaciteteve institucionale, përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe avancimit të politikave fiskale, si elemente kyçe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Dimitrieska-Koçoska vlerësoi se ky bashkëpunim me FMN-në përfaqëson një mundësi të rëndësishme për vendet e rajonit që të përfitojnë nga ekspertiza ndërkombëtare dhe të përshpejtojnë proceset reformuese.
Programi pesëvjeçar i SEETAC pritet të kontribuojë në forcimin e stabilitetit makroekonomik dhe në rritjen e besimit të investitorëve në vendet e Evropës Juglindore.
