Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se qytetarët që paguajnë gjobat e sistemit të trafikut “Qyteti i Sigurt” nuk kanë më nevojë t’i dorëzojnë vërtetimet e pagesës në stacionet policore.

Sipas MPB-së, sistemi është i lidhur automatikisht me sistemin e Ministrisë së Financave, gjë që mundëson verifikimin e pagesave pa pasur nevojë për dorëzim fizik të dokumenteve.
Qytetarët, gjatë pagesës në bankë ose në mënyrë elektronike, duhet të plotësojnë saktë të dhënat në fletëpagesë, duke vendosur numrin unik të procesverbalit në fushat “numri referent” dhe “qëllimi i pagesës”.
MPB apelon që qytetarët të mos i dorëzojnë më vërtetimet në polici, me qëllim të kursimit të kohës dhe shmangies së pritjeve dhe grumbullimeve të panevojshme.
