Nënshkruhet marrëveshja kolektive në Byronë për Metrologji: Rritje pagash dhe përmirësim i të drejtave të punonjësve

Në një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të punës dhe forcimit të dialogut social, në Byronë për Metrologji është nënshkruar për herë të parë marrëveshja kolektive për të punësuarit në këtë institucion.

Marrëveshja u firmos nga drejtori i institucionit, Shaban Nuredini, dhe kryetarja e sindikatës pranë Byrosë, duke shënuar një moment të ri në avancimin e të drejtave të punonjësve dhe rregullimin më të qartë të marrëdhënieve të punës.

Sipas kësaj marrëveshjeje, parashihet rritja graduale e pagave për nëpunësit administrativë, e cila do të realizohet në tri faza, në periudhën nga marsi i vitit 2026 deri në mars të vitit 2028. Në përfundim të këtij procesi, pagat pritet të rriten deri në 40 për qind.

Përveç aspektit financiar, marrëveshja sjell edhe përmirësime të rëndësishme në rregullimin e të drejtave dhe detyrimeve të punonjësve, statusin e tyre në vendin e punës, si dhe kushtet e punës. Ajo synon të sigurojë më shumë stabilitet, mbrojtje më të mirë të të drejtave të punëtorëve dhe një kornizë më të qartë për funksionimin institucional.

Kjo marrëveshje konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të marrëdhënieve të punës në sektorin publik dhe rritjes së standardeve për punonjësit në institucionet shtetërore.