Draft-strategjia për kulturën 2026–2030 në Maqedoninë e Veriut ka nxitur reagime të shumta në opinion publik dhe nga komuniteti i artistëve, të cilët kanë shprehur shqetësim për fatin e Ansamblit të Tetovës.
Nga Ministria e Kulturës theksojnë se nuk ka asnjë vendim për mbylljen e këtij institucioni apo të ndonjë institucioni tjetër kulturor. Sipas tyre, Strategjia Kombëtare nuk parasheh masa të tilla, duke hedhur poshtë spekulimet që kanë qarkulluar ditët e fundit.
“Askund në Strategjinë Kombëtare nuk është theksuar se Institucioni Kombëtar ‘Ansambli Muzikor në Republikën e Maqedonisë së Veriut – Tetovë’, apo ndonjë institucion tjetër, do të mbyllet”, deklarojnë nga Ministria.
Megjithatë, analiza e gjendjes aktuale ka nxjerrë në pah një sërë sfidash në sektorin e kulturës. Sipas Ministrisë, disa institucione përballen me mungesë stafi dhe kushte jo të përshtatshme për punë, çka ka nxitur nevojën për reforma.
Në këtë drejtim, një nga prioritetet kryesore të Strategjisë është riformësimi i institucioneve kulturore, duke synuar rritjen e autonomisë në funksionim dhe përmirësimin e efikasitetit të tyre përmes masave konkrete të parashikuara në Planin e Veprimit.
Ministria ka bërë të ditur se në periudhën e ardhshme do të realizohet një analizë e thellë dhe gjithëpërfshirëse e rrjetit prej 72 institucionesh kombëtare të kulturës. Kjo analizë pritet të ofrojë tregues të qartë për hapat e mëtejshëm dhe drejtimin e reformave në këtë sektor.
“Qëllimi është krijimi i një sistemi institucional kulturor funksional dhe efikas”, theksojnë nga Ministria e Kulturës.
Debati për të ardhmen e institucioneve kulturore mbetet i hapur, ndërsa artistët kërkojnë transparencë dhe përfshirje në proceset vendimmarrëse.
