Shkrimtarja Dalinë Arifi vjen me një krijim plot emocion, duke sjellë poezinë “Nuk ishte e jona kjo dashni”, një rrëfim i sinqertë për dashurinë e humbur, mallin dhe boshllëkun që mbetet pas.
Me një stil të thjeshtë, por shumë të fuqishëm emocionalisht, Arifi përshkruan përditshmërinë e një zemre të thyer, ku kujtimet dhe ndjenjat bëhen pjesë e çdo momenti nga mëngjeset me kafe deri te shëtitjet në qytet.
Kjo poezi po vlerësohet për autenticitetin dhe mënyrën se si prek lexuesin, duke e kthyer në një reflektim të përbashkët për shumëkënd që ka përjetuar dashuri të parealizuar.
Një zë i ri në letërsinë shqipe që premton shumë.
Nuk ishte e jona kjo dashni

Dalinë Arifi
Çdo mëngjes, para se të nis rutinën ditore,
marr e pi kafen duke vështruar fotografinë tënde.
Ah, ky dreq malli,
kjo dreq largësi,
kjo dreq mungesë…
Sikur të iknin në djall që të tria,
e ty të kisha këtu,
me të përqafu,
me nis ditën bashkë,
me të dasht, e me të dasht.
Alkool nuk pi, si për dreq,
boll më deh kjo dhimbje e kjo mërzi.
Një gllënjkë verë e bardhë
më vret ngadalë-ngadalë.
Ku të shkoj sot,
kur u zgjova me të njëjtin mall?
Ku të fshihem nga kjo zbrazëti?
Çka t’i bëj zemrës
që të don hala ty?
Si t’ia shpjegoj asaj
që ti ke ikë?
Unë vazhdoj kafen,
e pi bashkë
me dy pika lot
që m’i përshkruajnë sytë.
Me të dasht,
veç me të dasht,
e heshtun e në qetësi…
si për dreq, ndryshe nuk di.
Me mallin tand,
kafen çdo mëngjes e pi.
Ik nga kujtimet,
ik nga malli,
ik nga dashnia,
ik nga andrrat…
Po diku në mes rrugëve
më gjen prapë ti.
Prapë je këtu,
fshehur në mendime,
si plagë e pashëruar
për zemrën time.
Vishem, rregullohem,
vendos buzëkuqin tim…
me të harru, dal kalldrëmeve
të qytetit tim.
Po aty diku, te kroi,
më kujtohesh prapë ti,
kur me duart e mia
të jepja ujë nga aty me pi.
Sa të lumtur ishim ne të dy,
plot ëndrra,
plot dashni…
Ulem në kafenën tonë,
vetëm kapuçinon tim e porosis.
As këtu nuk arrita me të harru,
çdo skutë më kujton ty.
Je ti dhe veç ti…
ah, ata sy…
Si për dreq,
nuk ishte e jona kjo dashni.
