Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kulmoi sonte në Prekaz me ceremoninë tradicionale të “Natës së Zjarreve”, një nga momentet më të fuqishme simbolike të përkujtimit të rënies heroike të familjes Jashari.
Ceremonia u zhvillua në zemrën e Prekazit, aty ku historia e Kosovës mori një kthesë të madhe. Pjesëtarë të Ushtrisë së Kosovës ndezën flakadanin pranë Kullës së Lirisë, duke nisur kështu ritin tradicional të kësaj nate të veçantë. Pas nderimeve pranë kullës, ata marshuan drejt vendit ku prehen dëshmorët e kombit, pranë varreve të komandantit legjendar Adem Jashari, bacës Shaban, Hamzës, dajës Osman dhe të gjithë anëtarëve të familjes Jashari që u flijuan për lirinë e Kosovës.
Flakadanë u ndezën edhe pranë shtëpisë së heroinës Nënë Shkurte dhe tek bunkeri i komandantit Adem Jashari. Nga këto tri pika simbolike kullat e Jasharajve, shtëpia e Nënës Shkurte dhe bunkeri – pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës u nisën drejt një pike të përbashkët, duke krijuar një marshim që simbolizonte bashkimin dhe sakrificën e të gjithë atyre që luftuan për lirinë e vendit.
Në këtë marshim simbolik u bashkuan edhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, qytetarë të shumtë, nxënës dhe të rinj nga kjo trevë e më gjerë. Me flakadanë në duar dhe me respekt në zemër, ata marshuan drejt vendit ku pushojnë dëshmorët, duke përçuar mesazhin se kujtesa për sakrificën e tyre mbetet e gjallë brez pas brezi.
Një moment veçanërisht prekës ishte ai kur nxënësit e shkollës “Hamzë Jashari” u rreshtuan me përulësi para varrezave për të bërë nderime. Ata vendosën lule një nga një mbi varret e heronjve të familjes Jashari, në shenjë mirënjohjeje të thellë për sakrificën e tyre sublime.
Flakadanët e ndezur gjatë kësaj nate simbolizojnë përhapjen e zjarrit të lirisë në të gjitha trojet shqiptare. Ndërsa zjarri më i madh që ndizet në këtë ceremoni përfaqëson zjarrin e pushkës së komandantit legjendar Adem Jashari një simbol i përjetshëm i qëndresës, sakrificës dhe i rrugës drejt lirisë së Kosovës.
