Bilall Kasami promovon investimet në infrastrukturën e lagjes “Ajduçka”

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, promovoi sot përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e disa rrugëve në lagjen “Ajduçka”, në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës urbane.

Projekti përfshiu rrugët Aleksandar Zdravkovski, Zheleznichka, Gjoce Simoski, Predrag Jançevski, Dervish Cara dhe rrugën 118, të vendosura në blloqet urbane 55, 56 dhe 62.

Sipas autoriteteve komunale, punimet kanë përfshirë gërryerjen e asfaltit ekzistues, nivelizimin e pusëtave dhe asfaltimin e ri, në një gjatësi prej 1.515 metrash dhe sipërfaqe prej 11.683 metra katrorë.

Ky investim synon të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe kushtet e jetesës për banorët e kësaj zone, duke rritur sigurinë dhe funksionalitetin e rrugëve.

Kryetari Kasami theksoi se projekte të tilla janë pjesë e angazhimit për realizimin e premtimeve dhe afrimin më të madh me qytetarët.