oIsh-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me debatet e fundit për çështjen e gjuhës shqipe, duke theksuar se nuk ka nevojë për “zgjidhje të reja”, por për zbatim të ligjit ekzistues.
Ai deklaroi se është e gabuar të thuhet se një çështje që tashmë është e rregulluar me ligj duhet “të zgjidhet”, pasi kjo sipas tij krijon probleme të reja.
“Ligji për gjuhët është i qartë dhe çdo ligj tjetër i nënshtrohet atij. Të merresh me zgjidhje parciale për një çështje vetëm sa e hap kutinë e Pandorës”, u shpreh Osmani.
Sipas tij, nëse fillohet me trajtime të pjesshme, atëherë për çdo segment do të duhet protestë dhe negociim i veçantë, gjë që e komplikon situatën në mënyrë të panevojshme.
Ai theksoi se neni 23, alinea 5 e ligjit e përcakton qartë hierarkinë ligjore, duke nënvizuar se zgjidhja e vetme është zbatimi konsekuent i ligjit në fuqi.
“Duhet zbatim e jo ‘zgjidhje’”, përfundoi Osmani.
