PRISHTINË – Dalinë Arifi ka reaguar lidhur me debatet e fundit për emisionin “Debat Plus”, duke theksuar se çështja nuk lidhet vetëm me një program televiziv, por prek drejtpërdrejt një nga shtyllat themelore të një shoqërie demokratike – lirinë e medias dhe të shprehjes.

Sipas Arifit, media ka misionin të kërkojë përgjegjësi, të ngrejë pyetje dhe të informojë publikun pa presion apo frikë. Ajo vlerëson se çdo përpjekje për të kufizuar zërat kritikë apo për të ngushtuar hapësirën e debatit publik duhet të trajtohet me seriozitet nga institucionet dhe shoqëria.
Në reagimin e saj, Arifi i referohet edhe qëndrimit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili ka shprehur shqetësim pas paralajmërimeve të bëra në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) për mundësinë e mbylljes së emisionit “Debat Plus”.
AGK ka theksuar se deklarata të tilla përbëjnë cenim të lirisë së medias dhe të shprehjes, duke nënvizuar se nuk është në kompetencën e KPM-së të ndëshkojë media apo gazetarë për debatet dhe deklaratat e të ftuarve në emisione.
Dalinë Arifi thekson se liria e medias dhe e shprehjes janë të drejta themelore në një shtet demokratik dhe mbrojtja e tyre është përgjegjësi jo vetëm e gazetarëve, por edhe e çdo qytetari që beson në transparencë, llogaridhënie dhe të drejtën e publikut për informim.
“Kur sulmohet fjala e lirë, nuk rrezikohet vetëm një emision apo një medium i vetëm. Rrezikohet vetë themeli i demokracisë”, thekson Arifi.
Ky reagim vjen në një kohë kur debati mbi lirinë e medias dhe pavarësinë editoriale vazhdon të mbetet një nga temat më të rëndësishme për demokracinë dhe funksionimin e institucioneve në vend.
