34-vjetori i Doganave mesazh i qartë kundër krimit dhe rezultate konkrete në luftën kundër paligjshmërisë

Shkup – Në praninë e zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe shumë të ftuarve, u shënua 34-vjetori i themelimit të Drejtorisë së Doganave. Në këtë aktivitet, drejtori Mustafa Dauti theksoi se nuk ka vend për krim dhe se institucionet do të vazhdojnë me masa të vendosura për eliminimin e çdo dukurie që cenon sistemin.

Në fokus të fjalës së tij ishin rezultatet konkrete të arritura gjatë periudhës së fundit. Sipas të dhënave zyrtare, që nga korriku i vitit 2024 deri në mars të këtij viti, janë parandaluar rreth 2,700 përpjekje për aktivitete të paligjshme, ndërsa janë ngritur 332 kallëzime penale. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 213 kallëzime penale, një rritje pesëfish krahasuar me mesataren vjetore të periudhës 2017–2023.

Në aspektin financiar, Drejtoria e Doganave ka shënuar rritje të konsiderueshme të të ardhurave. Në gjysmën e dytë të vitit 2024 janë mbledhur 64.6 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, ndërsa gjatë vitit 2025 kjo rritje ka arritur në 105 milionë euro. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, të ardhurat janë rritur për 23.7 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Po ashtu, u bë e ditur se janë në zbatim projekte reformuese me vlerë totale prej 30 milionë eurosh, të financuara nga Buxheti i Shtetit, fondet e Bashkimit Evropian, Republika e Koresë dhe Banka Botërore.

Në kuadër të eventit, u ndanë edhe mirënjohje për institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë që kanë kontribuar në bashkëpunimin e suksesshëm, përfshirë Prokurorinë Publike, përfaqësues të SHBA-së, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe institucione të tjera relevante.

Ky përvjetor vjen si një reflektim i përkushtimit institucional për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efikasitetit në mbrojtjen e ekonomisë dhe kufijve të shtetit.