Izet Mexhiti ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me debatin për emërtimin e rrugëve në Tetovë.
Sipas Mexhitit, BDI nuk ka të drejtë morale të organizojë protesta për këtë çështje, pasi gjatë më shumë se dy dekadave në pushtet nuk e ka përmbyllur procedurën ligjore që do t’i bënte të vlefshme vendimet për emrat e rrugëve.
Ai ngriti edhe dy pyetje publike drejtuar Ali Ahmetit:
“Si i keni emrat e lagjeve dhe rrugëve në Kërçovë, pas më shumë se 20 viteve qeverisje? A reflektojnë ato historinë dhe identitetin shqiptar?”
Po ashtu, Mexhiti shtroi edhe çështjen e figurës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut:
“Pse për 24 vite nuk e rikthyet Skënderbeun në kalanë e Kërçovës, ku monumenti i tij kishte qenë pjesë e identitetit të qytetit? Nëse kishit mundësinë ta realizonit këtë, pse nuk e bëtë?”
Mexhiti theksoi se përgjegjësia për situatën e krijuar me emrat e rrugëve nuk mund t’u faturohet të tjerëve, duke argumentuar se BDI kishte kohë të mjaftueshme për të zgjidhur këtë çështje përmes procedurave ligjore gjatë viteve të qeverisjes së saj.
