Adnan Azizi: Tetovarët ia kthyen shpinën protestës së BDI-së, nuk u mashtruan nga “nostalgjikët e Titos”

Adnan Azizi ka reaguar pas protestës së organizuar nga BDI në Tetovë, duke e cilësuar atë si një protestë pa kauzë, pa mbështetje qytetare dhe pa kredibilitet politik.

Sipas Azizit, protesta nuk arriti të mobilizojë qytetarët e zakonshëm, por u dominua nga aktivistë partiakë, ish-funksionarë dhe përfitues të pushtetit të kaluar.

“Kam admiruar gjithmonë frymën e rebelimit dhe të protestës kur ajo ndërtohet mbi një kauzë të drejtë dhe sinqeritet. Por kjo protestë e BDI-së ishte pa sens, pa kauzë dhe, në fund, edhe pa qytetarë. Kjo e humbi seriozitetin e saj,” shkruan Azizi.

Ai vlerëson se protesta, në vend që të adresonte përgjegjësinë te institucionet përkatëse, përfundoi duke e zhvendosur fokusin e debatit.

“Mendoj se ajo që u pa në Tetovë ishte shumë zhurmë për asgjë. Tetovarët nuk mashtrohen. Ata kanë vetëdije të lartë dhe dinë ta dallojnë një kauzë të sinqertë nga një kalkulim politik,” thekson Azizi.

Në reagimin e tij, ai shpreh respekt për qytetarët që nuk iu bashkuan protestës, duke e interpretuar këtë si një mesazh se nuk mund të kërkohet mbështetje për pasojat e politikave të ndërtuara gjatë viteve të qeverisjes.

“Qytetarët dhanë një mesazh të qartë: nuk keni të drejtë morale t’i thërrisni në protestë për pasojat e politikave që vetë i keni ndërtuar për vite me radhë,” përfundon reagimi i Adnan Azizit.

0 Reviews

Write a Review