Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive, Amet Ziberi, zhvilloi një vizitë pune në njësinë rajonale të Agjencisë në Veles, ku u takua me të punësuarit dhe diskutoi për funksionimin e përditshëm të institucionit, sfidat me të cilat përballen dhe mundësitë për avancimin e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.
Gjatë takimit, Ziberi theksoi se njësia rajonale në Veles ka një rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve kadastrale për qytetarët e këtij rajoni, duke nënvizuar se investimet në digjitalizim, modernizim dhe rritjen e efikasitetit do të mbeten prioritet i institucionit.
“Synimi ynë është të krijojmë një administratë më efikase, me procedura më të shpejta, më pak pritje në sportele dhe shërbime më cilësore për çdo qytetar,” u shpreh Ziberi.
Ai shtoi se përmirësimi i kushteve të punës për të punësuarit dhe avancimi i vazhdueshëm i shërbimeve janë pjesë e angazhimit të Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive, me qëllim që institucioni të jetë sa më afër nevojave të qytetarëve.
Vizita në Veles është pjesë e aktiviteteve të rregullta në terren, përmes të cilave udhëheqësia e Agjencisë synon të forcojë komunikimin me njësitë rajonale dhe të sigurojë përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve publike.
