Kasami flet për VLEN-in bashkë pas 9 majit, përfaqësimin e shqiptarët dhe ndryshimet Kushtetuese

Njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, në intervistën e lajmeve në Alsat M, theksoi se më 9 maj ndryshon realiteti i VLEN-it dhe çdo funksionar do t’i përgjigjet kryesisë së partisë VLEN.

Ai tha se Kongresi i Bashkimit të VLEN-it dhe riformatimi i Qeverisë menjëherë pas bashkimit është përshtatje ideale e rrethanave.

“Deri tani VLEN ka pasur një realitet tjetër. Ajo ka qenë 5 subjekte politike të organizuara në një koalicion. Prej 9 majit, do të kemi realitet tjetër, të gjithë funksionarët do të jenë të VLEN-it. Besoj që riformatimi i Qeverisë është në kohën e duhur, kur ne si VLEN duhet të rishikojmë performancën tonë në Qeveri dhe ta shohim se ku duhet të shkojmë”, deklaroi Kasami.

“Tani më nuk kemi kohë për provim shtesë, për afat shtesë, sepse zgjedhjet e rregullta janë jo më larg se 2 vjet prej tani. Dhe riformatimi i ardhshëm i Qeverisë do të jetë mundësi e mirë që gabimet të cilat i kemi bërë t’i përmirësojmë dhe ta arrijmë performancën që e presin qytetarët”, tha Bilall Kasami.

Ligi për përfaqësim plotëson një boshllëk që BDI e ka lënë

Njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, në një intervistë në Alsat tha se Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat plotëson një boshllëk që BDI-ja nuk kishte arritur ta plotësojë me ligj për 20 vjet qeverisje

“Si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimi adekuat është kategori kushtetuese dhe në këtë rast çdo parim kushtetues duhet të materializohet në ligj dhe pastaj të implementohet me akte nënligjore. Në pamundësi BDI-ja të sjell një ligj adekuat, kur u dorëzua se nuk mund të sjellë një gjë të tillë, me akte nënligjore solli një mekanizëm që njihet si “balancuesi”. Pra, mungonte një hallkë e rëndësishme, nga parimi kushtetues deri te implementimi në praktikë dhe kjo sillte keqpërdorime të shumta, duke u deklaruar shumë qytetar si nacionalitet tjetër”, tha Kasami.

Ai thotë se ligji nuk përjashton mekanizma në nivel të akteve nënligjore për ta rregulluar teknikisht mënyrën e arritjes së përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

“Me këtë ligj ne plotësojmë këtë boshllëk. Nuk ka ligj perfekt, çdo ligj i nënshtrohet nismave për plotësim dhe ndryshim. Por po them që ne po zgjidhim një problem 20-vjeçar që nuk e ka zgjidhur BDI. Pas miratimit në Kuvend, do të rregullohet me akte nënligjore. Ligji nuk përjashton mekanizma siç ka qenë balancuesi”, deklaroi Kasami.

Bashkëkryetari i VLEN-it nënvizoi se në vitin 2025, gjatë qeverisjes së VLEN-it, është rritur përqindja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, sipas të dhënave nga Avokati i Popullit.

Kurdo që të hapet Kushtetuta, do të diskutojmë që termi “20% e popullsisë” të zëvendësohet me emërtimin adekuat për popullin shqiptar. Kështu deklaroi njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, në intervistën e lajmeve në Alsat M.

Të ngjajshme

Këngëtari i njohur Sting nuk do t’u lerë pasurinë fëmijëve: Duhet të punojnë vetë, u kam siguruar arsimin dhe kushtet bazë
Ai tha se bashkëqytetarët maqedonas e dinë më së miri se termet e tilla nuk janë adekuate.

“Me zgjidhjen e problemit me emrin me Greqinë, u largua edhe një përshkrim i Maqedonisë që ishte Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, që ishte jokorrekt për një shtet të pavarur, të pranuar nga OKB-ja. Dhe më së miri se çdokush tjetër unë mendoj se edhe bashkëqytetarët maqedonas e kuptojnë se termi 20% nuk është adekuat për shqiptarët”, tha Kasami.

Kasami theksoi se pret mirëkuptim nga shoqëria në përgjithësi, por edhe konsensus brenda shumicës parlamentare që kjo çështje të zgjidhet në hapjen e parë të Kushtetutës.

“Unë besoj në mirëkuptimin në përgjithësi të shoqërisë në Maqedoninë e Veriut, por edhe konkretisht nga partnerët e koalicionit që në hapjen e parë të Kushtetutës të diskutohet largimi i këtij termi”, deklaroi Kasami.