Dy vjet pas marrjes së përgjegjësisë për qeverisjen, koalicioni VLEN organizoi një ngjarje në Shkup ku prezantoi projektet, reformat dhe planet për periudhën në vijim. Në të njëjtën ditë, edhe BDI doli në konferencë për media, duke akuzuar VLEN për dështime dhe mosrealizim të premtimeve.
Nga VLEN u theksua se gjatë këtyre dy viteve janë ndërmarrë hapa për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes, duke vënë theks te lufta kundër korrupsionit, investimet, transparenca dhe projektet në interes të qytetarëve. Përfaqësuesit e koalicionit deklaruan se kanë trashëguar institucione të dobësuara dhe se shumë procese kërkojnë kohë për t’u reformuar, por se rezultatet tashmë janë të dukshme.
Në anën tjetër, BDI e cilësoi bilancin e VLEN-it si të pasuksesshëm, duke pretenduar se premtimet nuk janë realizuar dhe se shqiptarët nuk kanë përfituar nga ndryshimi i pushtetit.

Megjithatë, vëmendjen e opinionit e tërhoqi fakti se konferenca e BDI-së u mbajt pikërisht në ditën kur VLEN po shënonte dyvjetorin e qeverisjes.
