Një premtim i mbajtur: Tearca me departament të ri të zjarrfikësve

Në një ceremoni zyrtare të mbajtur sot në Komunën e Tearcës, në prani të kryetarit Daut Memishi dhe komandantit të NJKTZ, Avni Ameti, u promovua Departamenti Territorial i Zjarrfikësve në Tearcë.

Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë dhe përmirësimit të shërbimeve emergjente për banorët e kësaj zone. Sipas autoriteteve, hapja e këtij departamenti do të mundësojë reagim më të shpejtë dhe koordinim më efikas në rastet e emergjencave, duke qenë më afër qytetarëve.

Nga Komuna e Tearcës theksuan se ky nuk është vetëm një investim infrastrukturor, por mbi të gjitha një investim në sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Me këtë projekt, realizohet një nga premtimet e dhëna ndaj banorëve, duke dëshmuar përkushtim dhe bashkëpunim institucional.

Autoritetet shprehën mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij projekti, duke vlerësuar se iniciativa të tilla janë kyçe për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.