Shqiptarët humbin një mik të madh – ndahet nga jeta kongresmeni Eliot Engel

Shqiptarët kanë humbur një nga miqtë dhe mbështetësit më të mëdhenj të tyre në arenën ndërkombëtare, kongresmenin amerikan Eliot Engel i cili me përkushtimin dhe angazhimin e tij ka lënë gjurmë të thella në historinë moderne të shqiptarëve.

Engel njihej si një nga zërat më të fuqishëm pro shqiptar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, duke luajtur rol kyç në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar dhe në mbështetjen e proceseve vendimtare për Kosovën dhe rajonin. Ai kontribuoi në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendimet strategjike të administratës së ish-presidentit Bill Clinton veçanërisht në ndërhyrjen për ndalimin e gjenocidit serb në Kosovë.

Për dekada me radhë, Engel ishte një mbështetës i palëkundur i lirisë, demokracisë dhe të drejtave të shqiptarëve në të gjitha trojet. Ai konsiderohej si një urë e fuqishme lidhëse mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ndihmuar në avancimin e aspiratave kombëtare dhe forcimin e aleancës strategjike.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në reagimin e tij theksoi se takimet me kongresmenin Engel kanë qenë ndër momentet më të rëndësishme të karrierës së tij politike, duke e vlerësuar lart kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ai i dha çështjes shqiptare.

“Prehu në paqe, miku i shqiptarëve”, thuhet në mesazhin e Selës, duke nënvizuar se trashëgimia e Engel do të mbetet e gjallë për shumë kohë në kujtesën e shqiptarëve.