Familja e një personi të ndjerë mori vendimin human për dhurimin e organeve, duke i dhënë shans të dytë jetës dy pacientëve

Shkup, 19 Prill 2026 – Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se është shpëtuar jeta e një pacienti dhe është përmirësuar ndjeshëm cilësia e jetës së një pacienteje tjetër, falë dy operacioneve të suksesshme të transplantit të kryera nga ekipet mjekësore në vend.
Sipas komunikatës zyrtare, është realizuar transplantim i mëlçisë te një pacient 67-vjeçar, gjendja e të cilit ishte kritike. Njëkohësisht, është kryer edhe transplant i veshkës te një grua 51-vjeçare që prej vitesh trajtohej me dializë.
Të dy ndërhyrjet u bënë të mundura pasi familja e një personi të vdekur mori vendimin human për të dhuruar organet e tij.
Ministria e Shëndetësisë shprehu mirënjohje të thellë për familjen e dhuruesit, duke e cilësuar gjestin si “aktin më të lartë të humanizmit që i jep kuptim jetës edhe pas vdekjes”.
Nga institucioni bëjnë thirrje për ndërgjegjësim më të madh qytetar rreth rëndësisë së dhurimit të organeve, duke theksuar se një dhurues mund të shpëtojë deri në tetë jetë.
Gjendja e të dy pacientëve të transplantuar raportohet të jetë stabile dhe janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.
