Imerlije Saliu shpërthen: “22 vite në pushtet, zero zgjidhje!”

Debati politik për çështjen e provimit të Jurisprudencës ka marrë përmasa të reja, pasi përfaqësues të VLEN-it kanë reaguar ashpër ndaj rolit të BDI-së gjatë dy dekadave të fundit në pushtet.

Nga VLEN shtrohet pyetja direkte: kush e ndaloi BDI-në për 22 vite që ta zgjidhë këtë problem, kur kishte pushtetin, mandatet dhe përgjegjësinë institucionale për të vepruar?

Sipas tyre, përkrahja për studentët ka qenë e qartë që nga takimi i parë i zhvilluar në Kuvend, ku deputetët e kësaj force politike jo vetëm që u rreshtuan në anën e studentëve, por edhe kërkuan falje për, siç i quajnë ata, “gabimet e trashëguara” nga qeverisjet e mëparshme.

VLEN thekson se ironia bëhet edhe më e madhe kur kujtohet fakti se disa nga zyrtarët që sot reagojnë publikisht, kanë qenë edhe profesorë universitarë, duke pasur kështu jo vetëm pushtet politik, por edhe përgjegjësi akademike për të adresuar këtë çështje.

Në reagim theksohet se zgjidhja duhet të vijë në mënyrë ligjore dhe të qëndrueshme, duke shmangur improvizimet që mund të krijojnë probleme të reja në sistemin arsimor dhe juridik.

“Studentët kanë të drejtë të jenë të zëshëm, sepse zëri i tyre është i drejtë”, thuhet më tej, duke shtuar se ata nuk duhet të përdoren si mjet për të mbuluar dështimet politike të askujt.

Në fund, VLEN rikujton edhe një fakt tjetër që e konsideron domethënës: gjatë gjithë periudhës së gjatë qeverisëse, BDI nuk ka pasur ministër shqiptar të Drejtësisë, çka sipas tyre, e thellon edhe më shumë përgjegjësinë për moszgjidhjen e kësaj çështjeje.

Ky reagim pritet të intensifikojë përplasjet politike në vend, ndërsa çështja e studentëve mbetet në fokus të opinionit publik.