Punimet për ndërtimin e Shtëpisë së Rinisë, e njohur si Pallati i Kulturës në Komunën e Zhelinës, po avancojnë me ritme të mira, duke i dhënë formë një prej projekteve më të rëndësishme për të rinjtë e kësaj komune.
Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, bëri të ditur se objekti do të shërbejë si një qendër moderne ku të rinjtë do të kenë mundësi të krijojnë, të mësojnë, të zhvillojnë aktivitete kulturore dhe artistike, si dhe të ndërtojnë perspektivën e tyre.
“Rinia nuk meriton premtime, por investime, dhe pikërisht këtë po bëjmë sot,” u shpreh Sejdiu, duke theksuar se investimet në infrastrukturën rinore mbeten ndër prioritetet e komunës.
Sipas tij, Zhelina po vazhdon transformimin përmes projekteve zhvillimore, ndërsa Shtëpia e Rinisë pritet të jetë një nga hapësirat më të rëndësishme për jetën kulturore dhe sociale të komunitetit.
