Deputetja Imerlie Salia ka reaguar ashpër ndaj rritjes së rasteve të dhunës mes të rinjve, duke vlerësuar se fenomeni nuk mund të trajtohet më si incidente të veçuara, por si një problem serioz që po thellohet nga dita në ditë.
Salia thekson se rritja e dhunës te adoleshentët ngre shqetësime të mëdha për drejtimin ku po shkon rinia dhe për klimën sociale që po formëson brezat e rinj. Sipas saj, ky realitet kërkon analizë të thellë dhe përgjegjësi institucionale.
“Nuk mund të heshtim përballë ndikimit të rrjeteve sociale, modeleve të gabuara, mungesës së komunikimit dhe krizës së vlerave që po shtyjnë të rinjtë drejt veprimeve të papranueshme”, vlerëson deputetja.
Ajo nënvizon se kur dhuna shfaqet te të rinjtë, nuk bëhet fjalë vetëm për dështim individual, por për dështim më të gjerë të familjes, sistemit arsimor dhe institucioneve përgjegjëse.
Sipas Salias, koha kërkon alarm, reflektim dhe veprime konkrete për të parandaluar pasoja edhe më të rënda në të ardhmen.
Deklarata e saj vjen në një moment kur shqetësimet për sigurinë, edukimin dhe orientimin e të rinjve po zënë gjithnjë e më shumë vend në debatin publik. Deputetja bën thirrje që ky fenomen të trajtohet me seriozitet kombëtar dhe jo me reagime sporadike.
