Përurohet faza e parë e rrugës Merovë–Sallarevë, investim i rëndësishëm për infrastrukturën në Zhelinë

Komuna e Zhelinës ka promovuar përfundimin e fazës së parë të projektit për rekonstruimin e rrugës që lidh fshatrat Merovë dhe Sallarevë, një investim i cilësuar si ndër më të rëndësishmit për zhvillimin infrastrukturor të kësaj zone.

Në promovim mori pjesë edhe zv.ministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ndërsa u theksua se projekti financohet nga Ministria e Transportit, me mjete të siguruara nga Komuna e Zhelinës.

Sipas të dhënave të prezantuara, bëhet fjalë për një rrugë me gjatësi afro 3 kilometra, me 5 metra gjerësi asfalt, ndërsa bashkë me bankinat arrin gjerësi prej 6 metrash, me gjithsej 13 mijë metra katrorë sipërfaqe të asfaltuar.

Ky investim pritet të përmirësojë dukshëm qarkullimin dhe lidhjen për banorët e Merovës dhe Sallarevës, të cilët për vite kanë kërkuar investime serioze infrastrukturore.

Nga komuna u vlerësua se projekti është pjesë e vizionit për zhvillim të barabartë në çdo vendbanim, me fokus përmirësimin e standardit të jetesës dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët.

Autoritetet lokale paralajmëruan se investimet infrastrukturore do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me projekte të reja që synojnë modernizimin e komunës.