Komuna e Tetovës: tre projekte paralele në lagjen Dardania

Në lagjen Dardania në Tetovë po zhvillohen njëkohësisht tre projekte të rëndësishme infrastrukturore, të cilat synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e kësaj zone.

Punimet janë duke u realizuar në rrugën “Dereboj”, ku përfshihet rregullimi i infrastrukturës rrugore, ndërtimi i rrjetit të kanalizimit atmosferik si dhe instalimi i rrjetit të ri të ujësjellësit F/90 në gjatësi prej 500 metrash. Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit me ujë për lagjen Dardania.

Njëkohësisht, ndërmarrja përkatëse ka realizuar edhe bypass-in e linjës së vjetër të ujësjellësit, duke e lidhur atë me rrjetin e ri. Ky intervenim teknik konsiderohet i rëndësishëm pasi siguron funksionim më të qëndrueshëm të sistemit dhe redukton humbjet në rrjet.

Ky investim i përbashkët synon zgjidhje afatgjate për problemet me ujësjellësin dhe përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës në këtë lagje, e cila për vite me radhë ka qenë e lënë pas dore.

Komuna e Tetovës thekson se do të vazhdojë me përkushtim maksimal investimet në çdo lagje dhe vendbanim, duke synuar zhvillim të barabartë dhe kushte më të mira për të gjithë qytetarët.