Kuvendi formon Komision për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të KSHPK-së

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, sot do të mbahet seancë e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, ku në rend dite është formimi i Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).

Ky hap paraqet fillimin e procedurës për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të KSHPK-së, institucion kyç në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e transparencës institucionale.

Komisioni që do të formohet pritet të shqyrtojë aplikimet e kandidatëve, duke vlerësuar përmbushjen e kritereve ligjore dhe profesionale, para se të propozojë emrat për procedurë të mëtejshme.

Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të KSHPK-së ndiqet me interes të veçantë nga opinioni publik, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm të këtij institucioni në mbikëqyrjen dhe parandalimin e korrupsionit në vend.