Xhenur Iseni: Protesta e studentëve zëri i lirisë dhe dinjitetit

Protesta e nesërme e paralajmëruar nga studentët për provimin e jurisprudencës nuk është thjesht një kundërshtim i zakonshëm. Ajo përfaqëson një akt të guximit qytetar, një dëshmi se të rinjtë ndihen të lirë të flasin dhe të kërkojnë të drejtën e tyre.

Siç ka thënë Thomas Hobbes: “Nëse doni liri nuk keni siguri, e nëse doni siguri nuk keni liri”. Studentët, duke dalë në protestë, po zgjedhin pikërisht lirinë dhe kjo është ndër vlerat më të mëdha të një shoqërie demokratike.

Megjithatë, kjo protestë shkon përtej një pakënaqësie momentale. Ajo është një reagim i drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj kastës aktuale politike, por edhe ndaj një sistemi të ndërtuar ndër vite, i cili për më shumë se dy dekada ka dominuar skenën politike dhe ka lënë gjurmë të thella në trajtimin e gjuhës shqipe.

Fakti që në kushtetutë shqipja përkufizohet si “gjuha e 20 përqindëshit”, e vendosur në kllapa, nuk është vetëm një formulim teknik. Këto “kllapa” simbolizojnë kufizimin dhe nënvlerësimin institucional të një gjuhe që është pjesë thelbësore e identitetit dhe realitetit të këtij vendi.

Studentët, përmes zërit të tyre, po sfidojnë këtë realitet. Ata po thyejnë këto “grila” simbolike dhe po dëshmojnë se shqipja nuk është gjuhë e margjinës, por gjuhë e lirë gjuhë e dinjitetit dhe e drejtësisë.

Kjo protestë është më shumë se një reagim. Është një mesazh i qartë se një brez i ri nuk pranon më kufizime, por kërkon barazi, respekt dhe trajtim të denjë në shoqëri.