Ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me zhvillimet e fundit rreth ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në vend.
Sipas Osmanit, procesi që nga miratimi i ligjit është shoqëruar me tensione dhe kundërshtime të vazhdueshme nga VMRO-DPMNE. Ai rikujton se deputetët e kësaj partie kishin tentuar fizikisht të pengonin miratimin e ligjit në Parlament, ndërsa ish-presidenti Gjorge Ivanov kishte refuzuar ta nënshkruante atë, duke e kthyer për rishqyrtim.
Osmani thekson se çështja u dërgua edhe në Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, ku sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë për një ndërhyrje politike në funksionimin e saj. Ai pretendon se, pas ardhjes në pushtet, janë ndërmarrë hapa për të dobësuar institucionet që lidhen me zbatimin e ligjit, duke përfshirë zvogëlimin e kompetencave të Inspektoratit dhe marginalizimin e Agjencisë për zbatimin e gjuhëve.
Në reagimin e tij, Osmani gjithashtu akuzon për heqjen graduale të gjuhës shqipe nga përdorimi institucional, duke përmendur ndryshime në logot e ministrive, dokumentet zyrtare, tabelat dhe vulat shtetërore.
Ai paralajmëron se po ndërtohet një narrativë për ndryshimin e neneve kyçe të ligjit, duke e cilësuar këtë si pjesë të një politike të planifikuar dhe të qëllimshme. Sipas tij, në këtë proces janë përfshirë edhe aktorë politikë shqiptarë.
Në fund të reagimit, Osmani bën thirrje për unitet qytetar, duke theksuar se gjuha është një vlerë e përbashkët dhe rezultat i përpjekjeve ndërbreznore. Ai vlerëson rolin e studentëve që kanë ngritur zërin për këtë çështje dhe u bën thirrje qytetarëve të bashkohen në mbështetje të tyre.
“Beteja për gjuhën është betejë mbi të gjithë ne,” përfundon ai, duke apeluar për angazhim të përbashkët në mbrojtje të barazisë dhe vlerave evropiane në vend.
