Komuna e Tearcës po përballet me një krizë serioze financiare, pasi nga dita e sotme llogaria e saj zyrtare është bllokuar si pasojë e borxheve të papaguara ndaj kompanive që kanë kërkesa financiare ndaj institucionit.
Sipas njoftimit zyrtar, përveç borxhit kryesor ndaj furnitorëve, shuma totale është rritur ndjeshëm edhe nga shpenzimet shtesë për përmbaruesit, si dhe kamatat e grumbulluara mbi borxhin bazë.

Nga komuna theksohet se kjo situatë është rezultat i një menaxhimi të papërgjegjshëm ndër vite nga udhëheqësit e mëparshëm, të cilët, sipas reagimit, kanë krijuar obligime të mëdha financiare pa marrë parasysh pasojat afatgjata për institucionin dhe qytetarët.
“Kjo nuk është vetëm një krizë financiare, por një padrejtësi ndaj qytetarëve të Tearcës, të cilët meritojnë transparencë dhe përgjegjësi në qeverisje”, thuhet në reagim.
Megjithatë, nga udhëheqja aktuale shprehet bindja se, pavarësisht situatës së vështirë, me përkushtim dhe bashkëpunim me qytetarët, kjo krizë do të tejkalohet dhe do të rikthehet stabiliteti financiar i komunës.
Autoritetet premtojnë transparencë të plotë gjatë gjithë procesit dhe ftojnë qytetarët të jenë pjesë e zgjidhjes së kësaj sfide të madhe për Tearcën.
