Zhelina në fokus të reformave, Durmishi paralajmëron masa për zhvillim ekonomik

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, zhvilloi sot një takim pune në Zhelinë me kryetarin e komunës, Blerim Sejdiu, ku u diskutua për reformat dhe politikat që synojnë zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e tregut të punës.

Në fokus të takimit ishin masat për formalizimin e punës dhe uljen e ekonomisë gri, krijimi i mundësive fleksibël të punësimit për kategori të ndryshme të qytetarëve, si dhe forcimi i zbatimit të ligjit për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

Po ashtu, u diskutua për mbështetjen e të rinjve, nxitjen e investimeve dhe rëndësinë e zonave industriale në hapjen e vendeve të reja të punës dhe stimulimin e rritjes ekonomike.

Gjatë takimit u theksua edhe nevoja për mbrojtjen e konsumatorëve, përmirësimin e kushteve për funksionimin e bizneseve dhe shtimin e kontrolleve në terren, me qëllim krijimin e një tregu më të drejtë dhe transparent.

Bashkëpunimi ndërinstitucional u vlerësua si kyç për realizimin e këtyre objektivave dhe për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.